Projekti i financuar nga Qeveria Gjermane për avancimin e agjendës së gjelbër në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka filluar zbatimin e tij. Në konferencën hapëse në Budva, Mali i Zi, më shumë se 80 ekspertë dhe vendimmarrës nga sektori i energjisë elektrike diskutuan rreth transformimit të sektorit energjetik, duke përqëndruar vëmendjen në dekarbonizimin e sektorit të energjisë elektrike.
Pjesëmarrës nga sektori energjetik i Kosovës, përfshirë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Operatori i Sistemit KOSTT, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes KEDS/KESCO, ishin të përfshirë në diskutime për sfidat dhe zgjidhjet në tranzicionin energjetik.

Projekti synon të adresojë kërkesat në rritje për zgjidhje teknologjike dhe të ofrojë mbështetje në teknologjinë e energjisë së ripërtëritshme, rregullatorëve dhe zhvillimit të burimeve njerëzore për të lehtësuar tranzicionin drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit.
Ky projekt, i mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, synon të përcaktojë një rrugë të qëndrueshme drejt një sektori të energjisë elektrike më të gjelbër në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.