Në postimin e tij në Facebook, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, akuzoi Qeverinë Kurti për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe faturat e larta që po paguajnë qytetarët. Abdixhiku ka theksuar se tarifat e energjisë elektrike janë rritur 3 herë në 3 vite dhe se kjo është pasojë e paaftësisë së qeverisë së tanishme. Ai ka përdorur një grafikë për të treguar zhvillimin e çmimit të energjisë elektrike para dhe pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Gjatë ditëve të fundit, shumë qytetarë janë ankuar se faturat e rrymës për muajin dhjetor janë shumë më të larta krahasuar me muajin e kaluar apo të njëjtin muaj vitin e kaluar, shqetësime këto që janë ngritur edhe në rrjetet sociale. Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka shpjeguar se rritja e faturave është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje.
Qeveria e Kosovës vendosi vitin e kaluar t’i subvenciononte konsumatorët që kursenin rrymën, duke shpenzuar më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak gjatë dimrit. KESCO tha se çmimet e rrymës janë vendosur nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) në prill të këtij viti dhe nuk ka pasur rritje të çmimit të rrymës nga prilli i këtij viti. KESCO theksoi se çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kwh, duke llogaritur çmimet për ditë dhe natë. Çdo ndryshim në çmimet e rrymës është shënuar në çdo faturë për konsumatorët.