Gjatë diskutimeve në Kuvendin e Kosovës lidhur me Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024, ka pasuar përplasje e ndërlikuar midis deputetëve opozitarë dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Kritikat kryesisht janë adresuar shifrave të parapara për subvencione dhe investime kapitale.
Deputetët opozitarë kanë shprehur shqetësime rreth shifrave të larta të parashikuara për subvencione, duke theksuar se kjo shumë është në dëm të shtetit dhe se shumica e tyre shkojnë tek komunat e udhëhequra nga qeveria. Ata kanë kërkuar më shumë investime kapitale dhe kanë akuzuar qeverinë për mangësi transparence dhe përkatësisht ndarje të parave vetëm në favor të komunave ku qeveria ka mbështetje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, është përpjekur të mbrojë buxhetin, duke theksuar se shifrat janë parashikuar duke u bazuar në politika të njëjta fiskale dhe se qeveria ka luftuar kundër informalitetit dhe kontrabandës.
“Buxheti për vitin e ardhshëm si tërësi i shpenzimeve, pra gjithsej shpenzimet buxhetore 3 miliardë 314 milionë euro. Kjo pastaj financohet nga të hyrat buxhetore që janë 3 miliardë e 28 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër parashihet që të jetë deficit dhe i cili financohet përmes huamarrjes së jashtme dhe të brendshme…Ne nuk është se kemi ndryshuar politikat fiskale, pra vazhdojnë të jenë të njëjta, megjithatë që jemi munduar të bëjmë gjatë këtyre viteve ka qenë luftimi i informalitetit dhe trajtimi i gjitha palëve në mënyrë të barabartë.
Në këtë rast përveç kësaj është luftuar edhe kontrabanda dhe janë mbyllur shumë kanale të kontrabandimit që kanë qenë të hapura ndër vite, dhe tani patjetër se ato mallra vazhdojnë të furnizohen, veçse tani përmes kanaleve zyrtare dhe figurojnë edhe si import zyrtar dhe paguajnë taksat dhe tatimet për këtë import”, tha Murati.
Megjithatë, tensionet kanë qenë të larta, dhe ka pasuar përplasje verbale midis deputetëve opozitarë dhe ministrit të Financave.
Deputetët kanë kërkuar përmirësime në shifrat e buxhetit dhe transparencë më të madhe në ndarjen e fondeve. Diskutimet kanë reflektuar tensionet politike dhe mosmarrëveshjet në lidhje me politikat buxhetore të qeverisë.