Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur fituesit e përkohshëm për shitjen e 31 aseteve të ndërmarrjeve shoqërore numër 64 përmes metodës së likuidimit. Për këto asete janë pranuar 59 oferta, duke arritur një vlerë prej 2 milionë e 212 mijë e 467 euro. Me këtë rast, janë privatizuar gjithsej 2,913 asete.
Muharrem Arifi, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit ekzekutiv – operativ në AKP, ka njoftuar se deri më tani janë privatizuar 2,913 asete dhe janë grumbulluar 784 milionë e 114 mijë e 302 euro në Fondet e Mirëbesimit.
Shuma e fondeve e aprovuar nga Bordi i Agjencisë për shpërndarje te kreditorët e ligjshëm deri më 31 tetor 2023 është 62 milionë e 684 mijë e 180 euro për 303 ndërmarrje shoqërore. Pagesat ndaj kreditorëve të ndërmarrjeve shoqërore deri më 6 tetor 2023 janë bërë në shumën 61 milionë e 389 mijë e 539 euro.
Në lidhje me shpërndarjen e 20 përqindëshit të të hyrave nga shitjet e aseteve për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, Arifi ka theksuar se AKP po vazhdon me miratimin e listave dhe shpërndarjen e shumës së 20% të të hyrave. Deri më tani, janë shpërndarë 163 milionë e 379 mijë e 229 euro, dhe numri i përfituesve të 20% është 52,100 ish-punëtorë. Agjencia Kosovare e Privatizimit ka mandatin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privatë përmes një procesi transparent.