Eksperimenti GUSTO (Observatori Galaktik/Ekstragalaktik ULDB Spektroskopik Terahertz) është një projekt i NASA-s që synon të krijojë një hartë 3D të një pjese të galaktikës “Rruga e Qumështit”. Ky eksperiment përfshin një teleskop që do të niset në një lartësi prej 36.6 kilometra mbi Antarktidë, duke përdorur një balonë për një periudhë prej të paktën 55 ditësh.
Teleskopi do të kapë valët e radios me frekuencë të lartë që depërtojnë në mediumin ndëryjor kozmik, duke përfshirë gaze, pluhur, rrezatim dhe materiale të tjera që ndodhen në hapësirë midis yjeve. Këto të dhëna do të ndihmojnë në kuptimin e proceseve të formimit të yjeve dhe planetëve.
Eksperimenti GUSTO synon të zbulojë sinjale të karbonit, oksigjenit dhe azotit në mjedisin ndëryjor, duke përqëndruar vëmendjen në mënyrën se si grimcat hapësinore grumbullohen për të formuar retë molekulare që paraprijnë formimin e yjeve.
Baloni që mbart teleskopin do të niset nga Stacioni Antarktik McMurdo më 21 dhjetor. Misioni do të përqëndrohet në studimin e strukturës 3D të Resë së Madhe të Magelanit, një galaktikë xhuxh pranë “Rrugës së Qumështit”, e cila është e dukshme me sy të lirë nga pjesë të hemisferës jugore të Tokës. Teleskopi do të udhëheqet nga anticikloni atmosferik i Polit të Jugut, duke ndjekur një rrugë rreth polit gjatë misionit.