Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në mbledhjen e saj të kabinetit. Kryeministri Albin Kurti njoftoi se buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ky projektligj do të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, para kabinetit qeveritar, theksoi se Qeveria e Kosovës ka arritur të zgjerojë ekonominë përmes politikave të ndryshme, dhe presin një rritje ekonomike prej 4% në vitin 2023. Rritja e të hyrave buxhetore për periudhën janar-shtator është shënuar me një rritje prej më shumë se 14.3% krahasuar me të njëjtën periudhë e vitit paraprak.
Në vitin 2024, pritet që të hyrat buxhetore totale të arrijnë vlerën 3 miliardë e 28 milionë euro, me një rritje prej 5% në raport me vitin paraprak. Shpenzimet buxhetore pritet të arrijnë vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro. Në strukturën e shpenzimeve, pritet një rritje prej 8% në kategorinë e pagave dhe shtesave në krahasim me vitin 2023, ndërsa kategoritë e tjera të shpenzimeve do të përmbahen në nivelet e ngjashme apo do të kenë rritje të ulët.
Buxheti i vitit 2024 synon të vazhdojë rritjen ekonomike, të sigurojë stabilitet, dhe të investojë në sektorë kyçe të zhvillimit të vendit.